Saturday, March 23, 2013

Tetova ime

Shkrimet e para për ekzistimin e Tetovës si vendbanim, datojnë nga periudha antike, me emrin antik EUNEUM.

Sipas disa të dhënave me të cilat disponojmë, Fusha e Pollogut dikur ka qenë liqen. Këto të dhëna, mbështeten në gjurmët e zbuluara në Balltepe (Kodra e Mjaltit), ku gjendet rrafshnalta me shkëmbinj të liqenit me lartësi mbidetare prej 770 m. Sipas të dhënave turke të dokumentuara, Tetova në shek. XIV është trajtuar si fshat në Fushën e Pollogut. Në shek. e XV Tetova përmendet si qendër në vendin e Vakëfit të Mehmet Beut në vitin 1436, ku thuhet se, në Tetovë ka pasur shumë dyqane dhe punëtori, si dhe janë ndërtuar lagje të reja. Sipas Mehmed Beqir Çelebiut (1470), Tetova fillon t’i ngjaj qytetit. Me ardhjen e turqve në këtë rajon, Tetova gjithnjë e më tepër zhvillohet.

Në ndërkohë, gjatë kësaj periudhe realizohen ndërtimet e objekteve kulturore-historike, siç janë:
- Xhamia e Pashës (e Larme),
- Arabati Baba-Teqe,
- Tempulli (faltorja) ortodokse "Shën Kirili e Metodi",
- Hamami i vjetër,
- Kalaja e Tetovës,
- xhamia dhe kisha të tjera,
- Ura e gurit në lumin Pena (Shkumbin-Artat), etj.

Gjatë asaj kohe, gjithashtu filloi edhe ndryshimi i arkitekturës së shtëpive, të cilat gradualisht filluan të marrin pamje orientale. Në vitin 1689 Tetova emërtohet si qytet. Në Tetovë ka shumë kisha, të cilat varësisht nga periudha kohore që i takojnë, kanë edhe vlerat e tyre të veçanta historike.

Nga periudhat e kaluara kohore, vlen të përmendet biblioteka e Teqesë-Arabati (shek XVIII-XIX), sepse në të është zhvilluar kultura dhe arsimimi përkrah besimit islam. Në këtë bibliotekë, janë kopjuar veprat e intelektualëve me kaligrafi të zgjedhur të asaj kohe, që më vonë janë zbukuruar me ornamente të mbështjella me lëkurë.

Një zhvillim i hovshëm i Tetovës ndodh në pjesën e dytë të shek. XIX, deri te Luftërat Ballkanike, kur Tetova bëhet qendër tregtare dhe zejtare.

Pas Luftërave Ballkanike, i tërë Ballkani ndodhej në krizë, ashtu që edhe zhvillimi i Tetovës si qytet shënon stagnim. Sidomos, pas Luftës së Dytë Botërore, vjen deri te zhvillimi i shtuar i gjithë rajonit, pra, edhe i Tetovës si qytet.

Veçoritë kulturore – historike

Tetova bën pjesë në mesin e qyteteve më të vjetra në Maqedoni, në të cilin gjatë historisë janë gërshetuar një numër i madh kulturash të mbështetura mbi traditën e qytetarëve, që jetojnë në këto troje.

Menada (Valltarja ilire) e Tetovës në vitin 1933, në afërsi të lokalitetit të quajtur "Çeshma e Balezës", është zbuluar statuja e bronzit nga periudha e ilirëve, shek. VI p.e.s., që paraqet zbulimin më të vjetër arkeologjik të gjetur në rajonin e Tetovës.
Statuja me dimensione 9 cm e gjatë dhe 4 cm e gjerë, gjendet në muzeun e Tetovës.

Xhamia e Pashës, e cila në popull njihet si Xhamia e Larme, gjendet në anën e djathtë të lumit Pena (Artat), në pjesën e vjetër të qytetit ku gjenden edhe objekte të tjera të arkitekturës fetare, civile e islame, siç janë: Hamami i qytetit, Ura e Gurit, të rëndësishme për vlerat estetike e artistike si dhe, për mbishkrimet historike që i përmbajnë.
Xhamia është ndërtuar në vitin 1495, kurse karakteristikë për të, është ngjyrosja me ngjyra kolorite, jo vetëm në brendësinë e saj por edhe në pjesën e jashtme të mureve. Në oborrin e xhamisë gjendet edhe fontana dhe tyrbja oktagonale, në të cilën janë varrosur zonja Hurshide dhe Mensure, të cilat e kanë financuar ndërtimin e xhamisë.

Kompleksin bektashian, Teqe - Arabati e ka ndërtuar Sersem Ali Dede nga viti 1538 deri më 1548, dhe paraqet njërin nga objektet më të rëndësishme të këtij lloji në Ballkan. Teqeja mahnit me arkitekturën e instaluar në brendinë e saj, si fontana - një pavijon i hapur nga konstruksioni i drurit, objekti markant me ngjyrë të kaltër, i quajtur "Konaku i Grave" etj.

Kisha Shën Kirili e Metodi në pjesën e vjetër të Tetovës, paraqet njërën nga faltoret më të bukura ortodokse jo vetëm në rajonin e Pollogut, por edhe më gjerë.
Ajo është ndërtuar në periudhën më të re, respektivisht në vigjilje të Ilindenit të famshëm në vitin 1903, që jep një rëndësi të veçantë si shenjtore ortodokse. Iniciatorë për ndërtimin e kësaj kishe ka qenë famulltari me më ndikim në Tetovë Mihail Martinovski. Ai më 21 nëntor 1902 në Stamboll nga sulltan Abdul Hamidi ka arritur të marrë leje për ndërtimin e kësaj faltoreje.
Ndërtimi i kësaj kishe ka filluar më vitin 1903 dhe ka përfunduar më 1918, kurse është lëshuar në përdorim më 12 qershor të vitit 1925 me rastin e festës (Dita e Petrovit).

Në qytetin e Tetovës ka edhe shenjtore të tjera ortodokse, në mesin e të cilave janë: faltorja më e vjetër ortodokse Shën Nikolla, e ndërtuar gjatë viteve 1842-1847, kisha Shën Bogorodica e ndërtuar më 1912, eshenjtëruar më 28.08.1918, Shën Dhimitri, e ndërtuar më 1912 kurse e shenjtëruar më 1915.

Kalaja e Tetovës(Vocës), gjendet në majën e Balltepes mbi Tetovë. Është ndërtuar nga Abdurrahman Pasha më vitin 1820. Kjo përmendore kulturore, paraqet një bukuri të rrallë nga e kaluara.

Përbërja e saj është komplekse:
- pjesa e brendshme ka pesë saraje,
- kuzhina të mëdha,
- banja,
- një pus në mes dhe
- tre tunele për dalje.

Gjithashtu, paraqet një ndikim të madh të arkitekturës osmane, por fatkeqësisht gjatë kohës së luftërave botërore janë bërë dëmtime të mëdha.

Në anën e djathtë të lumit Rakita, para derdhjes së tij në lumin Vardar (Aksium) afër fshatit Orashë e Poshtme, gjendet kalaja ilire e periudhës antike, e njohur me emrin "Kalaja e Nicës" apo e Sobrit.

Pozita strategjike e kalasë në periudhën antike ka luajtur një rol të rëndësishëm në periudha kohore të ndryshme, sidomos për mbrojtjen dhe kontrollimin e udhës që lidh ultësirat e Pollogut me fushat e Shkupit e të Kosovës. Fatkeqësisht, deri më tash nuk janë bërë hulumtime thelbësore arkeologjike e as rikonstruktime (rindërtime) përkatëse.